Universiteti i Mjekësisë, Tiranë



 

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT) është qëndra publike e ekselencës së formimit universitar, pasuniversitar, kërkimit shkencor, trajnimit afatgjatë dhe e specializimit në të gjitha fushat mjekësore dhe përbën shembullin më të mirë të kampusit universitar në Repulikën e Shqipërisë.

Në historikun e saj 60 vjeçar, Mjekësia Shqiptare filloi veprimtarinë e saj me krijimin e Fakultetit të Mjekësisë, më 22 shtator 1952, si Institut i Lartë Mjekësor (ILM) dhe si rezultat i bashkimit të pesë Instituteve të Larta të vendit, në vitin 1957, ky Institut u bë pjesë përbërëse thelbësore në themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës. Në sajë të rëndësisë dhe vlerave të Mjekësisë Shqiptare, më në fund ajo nderohet me tempullin e saj të mirënjohjes, dijes dhe zhvillimit të metejshëm në fushat mjekësore.

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë (UMT), u themelua më datë 23.1.2013 me Vendim të Këshillit të Ministrave. Universiteti erdhi si rrjedhojë e ndryshimeve rrënjësore në strukturat e institucioneve të arsimit të lartë publik në Shqipëri. Në strukturën e UMT-së u bashkuan Fakulteti i Mjekësisë dhe ai i Infermierisë, të cilët u shkëputën nga Universiteti i Tiranës dhe u bënë pjesë përbërëse e pesë njësive kryesore të këtij Universiteti. Këto njësi janë të ndara në pesë fakultete, përkatësisht: Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Mjekësisë Dentare, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike si dhe Fakulteti i Shëndetit Publik.

Krijimi i një Universiteti tërësisht mjekësor erdhi si detyrim i domosdoshëm i Mjekësisë Shqiptare që të interpretojë dhe të orientojë sa më mirë transformimet dhe zhvillimet teknologjike të kohës, duke garantuar përpunimin, inovacionin, transferimin dhe vlerësimin e njohurive në avantazh të individit dhe të shoqërisë shqiptare.

Strukturat e Universitetit ndodhen vetëm pak minuta larg nga qëndra e Kryeqytetit. Kampusi i Universitetit të Mjekësisë ndodhet në periferinë veri-lindore të Tiranës, brenda Qendrës Spitalore Universitare të Tiranës (QSUT), në të cilën ndodhen dy nga Fakultetet e Universitetit, Fakulteti i Stomatologjisë dhe ai i Shkencave Mjekësore Teknike dhe zyrat administrative të Rektoratit. Ndërsa strukturat e tjera të UMT-së, Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Farmacisë, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe Biblioteka e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë ndodhen në rrugë të Dibrës, në afërsi të zyrave të administratës së QSUT-së.

 
Misioni

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë  ka si mision: ofrimin e formimit universitar të studentëve dhe specialistëve në tre ciklet e studimeve në shkencat e shëndetit; ofrimin e kualifikimit dhe të specializimit të mëtejshëm të specialistëve në fushat e shëndetit; thellimin e kualifikimit të punonjësve akademikë dhe shkencorë universitarë; kryerjen e kërkimit shkencor bazë dhe të aplikuar; realizimin e funksioneve diagnostikuese dhe trajtuese themelore në nivel të lartë shkencor nëpërmjet shërbimeve që janë njësi bazë të universitetit dhe pjesë përbërëse e strukturës së qendrës spitalore universitare.

Misioni i UMT lidhet ngusht me formimin mjekësor në drejtim të zhvillimit të Mjekësisë Shqiptare Moderne dhe ka për detyrë parësore përvijimin dhe zbatimin e etikës mjekësore, kërkimin shkencor dhe të didaktikës më të mirë. Gjithashtu, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë ruan me krenari origjinën, historikun dhe traditat më të mira morale, kulturore, historike, arsimore dhe shkencore të vendit që janë baza e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor të vendit dhe mbi bazën e të cilave do të ndërthuren standartet dhe arritjet më të mira botërore dhe ato evropiane në veçanti.
Vizioni

Universiteti Mjekësisë, Tiranë  synon të bëhet qëndra e ekselencës dhe e edukimit më të mirë universitar, pasuniversitar, shkencor dhe specializues në Republikën e Shqipërisë për përgatitjen profesionale të specialistëve në fushat e Mjekësisë dhe të Shëndetit. Duke ndërthurur edukimin didaktik me eksperiencën më përparuar të shkencore, UMT kërkon të përgatisë, jo vetëm specialistë të kualifikuar, por edhe qytetarë të përgjegjshëm në shërbim të shoqërisë, veçanërisht në zhvillimin e marrëdhenieve me pacientët, të cilët janë dhe pikëmbërritja e shërbimeve mjekësore.

Gjithashtu, Universiteti synon dhe po punon në drejtim të një perspektive të gjerë ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me shumë Universitete të huaja prestixhoze dhe duke thelluar më tej eksperiencat e ndërsjellta në sajë të zhvillimit të përbashkët elitar.