Fjalor për studentët

Universitetet
1. Universiteti përfaqëson një strukturë, të përbërë dhe të integruar, që realizon arsimim të lartë, zhvillim të dijeve, shkencës, profesioneve dhe transmeton njohuri në fusha dhe disiplina shkencore dhe profesionale.

2. Universiteti siguron arsimim të bazuar në kërkim dhe njohuri shkencore e teknologjike bashkëkohore; siguron arsimim të vazhduar, kualifikime, specializime; përgatit specialistë dhe shkencëtarë të rinj.

3. Universiteti realizon kërkim shkencor e të aplikuar dhe veprimtari krijuese, ofron shërbime, në përputhje me misionin e tij, mbështet dhe realizon aftësimin e personelit akademik. Në varësi të misionit kryesor që ka, të përcaktuar në statutin e tij, universiteti siguron raportin e përshtatshëm ndërmjet mësimdhënies,kërkimit shkencor dhe shërbimeve që ofron.

4. Universiteti ofron programe të studimeve për të tre ciklet, të përcaktuara në nenin 26 dhe ka në përbërje, së paku, dy fakultete.

Akademitë, shkollat e larta dhe qendrat ndëruniversitare
1. Akademitë ofrojnë arsimim të lartë profesional dhe veprimtari krijuese në fusha specifike të artit, sportit, të sigurisë dhe të mbrojtjes, e fusha të tjera profesionale. Ato mund të ofrojnë programe të studimeve për të tre ciklet dhe kanë në përbërje, së paku, dy fakultete. Akademitë ofrojnë edhe kërkim shkencor në fushat përkatëse, në varësi të ciklit të studimit, në përputhje me statutet e tyre.
.
2. Shkolla e lartë ofron arsimim të lartë në ciklin e parë ose edhe të dytë të studimeve. Shkolla e lartë mund të ofrojë kërkim shkencor të aplikuar dhe shërbime në fushat përkatëse, në përputhje me statutin e saj. Ajo ngrihet dhe funksionon edhe me, së paku, dy fakultete.
.
3. Qendra ndëruniversitare zhvillon dhe promovon programe dhe projekte të kërkimit shkencor dhe ndihmon në arsimim të avancuar pas ciklit të parë të studimeve universitare. Qendra ndëruniversitare krijohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Objekti i veprimtarisë, si dhe detyrat përcaktohen në aktin e krijimit. Ato organizohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji dhe në përputhje me statutin e tyre.

Kolegjet profesionale
1. Kolegji profesional ofron veprimtari mësimore dhe trajnuese në fusha të ndryshme të arsimit profesional universitar dhe/ose jouniversitar, për përgatitjen e specialistëve me orientim praktik.

2. Kolegji profesional realizon veprimtari kërkimore tёaplikuara, artistike, sportive etj., nëse është parashikuar në statutin dhe rregulloret e tij, si dhe ofron shërbime.

3. Kolegji profesional ofron programe të studimeve të ciklit të parë në disa fusha, në përputhje me procedurat e përcaktuara me akte nënligjore. 4. Kolegji profesional ka të drejtë të ngrihet edhe pranë universiteteve, akademive apo shkollave të tjera të larta. Në këto raste ai ka strukturë të ngjashme me fakultetin.

Fakultetet
1. Fakulteti është njësi kryesore, që bashkërendon mësimdhënien, kërkimin shkencor dhe zhvillimin kulturor në fusha mësimore-kërkimore, të përafërta ose të ndërthurura. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme, në përfundim të të cilave përfitohet diplomë.

2. Fakulteti organizohet në njësi bazë. Çdo fakultet ka, së paku, tre të tilla, nga të cilat dy departamente.

3. Shfuqizuar.

4. Struktura e fakultetit, përbërja, funksionimi, si dhe drejtimi i tij përcaktohen në statutin dhe rregulloret e institucionit të arsimit të lartë.

Departamentet
1. Departamenti është njësi bazë mësimore-kёrkimore, që përfshin fusha kërkimi homogjene dhe grupon disiplinat mësimore respektive.

2. Strukturë të ngjashme me departamentin kanë edhe qendrat e kërkimit dhe zhvillimit, fushat e kërkimit të të cilave harmonizohen me interesa të departamenteve të fakultetit.

3. Departamenti nxit, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies, veprimtaritë kërkimore ose artistike, duke respektuar liritë akademike të personelit akademik dhe të drejtën e tij për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare në dispozicion të departamentit.
Departamenti duhet të ketë në përbërje të tij të paktën 7 anëtarë efektivë si personel akademik, ndër të cilët të paktën 3 duhet të jenë me grada dhe tituj. Institucioneve të arsimit të lartë, të cilat funksionojnë, por nuk e plotësojnë këtë kriter, u lihet një afat 5-vjeçar.

Qendrat spitalore universitare
1. Qendrat spitalore universitare janë njësi të sistemit arsimor dhe të sistemit shëndetësor. Ato realizojnë funksione mësimore e kërkimore, si pjesë e universitetit/fakultetit, si dhe funksione diagnostike e trajtuese themelore, në nivel të lartë shkencor, si pjesë e sistemit shëndetësor.

2. Qendrat spitalore universitare miratohen si të tilla me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe të Ministrit të Shëndetësisë.

3. Qendra spitalore universitare përbëhet nga njësitë e shërbimeve.

4. Veprimtaria e qendrës spitalore universitare rregullohet me statutin e saj, i cili miratohet nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës dhe Ministri i Shëndetësisë.

5. Fakultetet që ofrojnë programe studimi të fushave mjekësore mund të lidhin marrëveshje ose kontrata me spitalet e tjera jouniversitare për formimin praktik të studentëve dhe atë të kërkimit shkencor.

Senati akademik
1. Senati akademik është organ kolegjial vendimmarrës i institucioneve të arsimit të lartë, që përcakton politikat e zhvillimit të institucionit, programon, bashkërendon, drejton dhe kontrollon veprimtaritë e mësimdhënies e të kërkimit shkencor dhe vlerëson efikasitetin e tyre. Senati akademik kryesohet nga rektori dhe mblidhet periodikisht.

Rektorati
1. Rektorati është organ kolegjial ekzekutiv, që përbëhetnga:

a) rektori;
b) zëvendësrektori/ët;
c) dekani/drejtori i çdo fakulteti dhe njësie tjetër kryesore;
ç) kancelari i institucionit.
Rektorati kryesohet nga rektori.

2. Funksionet kryesore të rektoratit janë:

a) harton planin disavjeçar të zhvillimit të institucionit;
b) harton programin vjetor të veprimtarive, si dhe ndjek zbatimin e tij pas miratimit në senatin akademik;
c) formulon kriteret për shpërndarjen e burimeve financiare, materiale dhe njerëzore;
ç) parashtron përparësitë mes kërkesave konkurruese për financime mes njësive kryesore të institucionit;
d) harton dhe propozon projektbuxhetin për miratim në senatin akademik;
dh) harton planin për investime, kontratat dhe marrëveshjet, që janë kompetencë e tij;
e) paraqet rekomandime për projektet për programet e studimeve, të kërkimit shkencor dhe ndryshimet e nevojshme strukturore për realizimin e tyre;
ë) zbaton të gjitha vendimet e miratuara nga senati akademik dhe këshilli i administrimit;
f) monitoron dhe publikon rezultatet e vlerësimit të veprimtarive të institucionit;
g) përgatit marrëveshjen ndërmjet institucionit të arsimit të lartë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për rregullat e financimit;
gj) propozon strukturën e përgjithshme dhe numrin e personelit të institucionit për të gjitha nivelet;
h) përgatit rregulloren e tij të punës, që miratohet nga senati akademik.

3. Rektorati kërkon mendimin e senatit akademik dhe të këshillit të administrimit për aspekte të kompetencës së këtyre të fundit.

4. Rektorati raporton një herë në semestër në senatin akademik dhe në këshillin e administrimit.

5. Rektorati harton raportin vjetor të veprimtarisë mësimore-kërkimore dhe financiare dhe ia paraqet atë për miratim senatit akademik dhe këshillit të administrimit brenda datës 20 dhjetor të çdo viti.

6. Rektorati ka të drejtë t’ia delegojë kompetencat personelit apo organit tjetër të institucionit, në përputhje me rregulloren e tij.

7. Në statutin e institucionit publik të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera, si dhe funksionimi i rektoratit.

Autoritetet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë
1. Autoritete drejtuese në një institucion publik të arsimit të lartë janë:

a) rektori, drejtori i qendrës ndëruniversitare;
b) dekani/drejtori;
c) përgjegjësi i njësisë bazë.
. Rektori është autoriteti drejtues i institucionit të arsimit të lartë, i cili e përfaqëson atë dhe vepron në emër dhe për llogari të tij.
Dekani është autoriteti drejtues i fakultetit dhe përfaqësuesi ligjor i tij.
Drejtori është autoriteti drejtues i një instituti të kërkimit dhe zhvillimit ose i një filiali (në rast se ai nuk ka statusin e fakultetit ose të departamentit) dhe e përfaqëson atë.
Drejtori i qendrës ndëruniversitare është autoriteti drejtues i qendrës, i cili e përfaqëson atë dhe vepron në emër dhe për llogari të saj.

2. Autoritetet drejtuese rektor/dekan në institucionet publike të arsimit të lartë duhet të kenë

të paktën titullin “Profesor i asociuar” ose gradën shkencore “Doktor” (“PHD”), të fituar pranë universiteteve perëndimore dhe me përvojë akademike në këto universitete.
Format e studimeve
1. Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë janë:

a) studime me kohë të plotë;
b) studime me kohë të pjesshme;
c) studime në distancë.

2. Aplikimi dhe zbatimi i çdonjërës nga format e studimit, të parashikuara në këtë nen, bëhet me miratim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.
Programet e studimeve
1. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të akredituara të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student me kohë të plotë është 60 kredite.

2. Programet e studimeve hartohen nga vetë institucionet dhe miratohen në senatet e tyre akademike.

3. Institucionet e arsimit të lartë shpallin publikisht programet e akredituara të studimeve që ofrojnë, para fillimit të aplikimeve për pranime në to.

Ciklet dhe titujt e studimeve universitare
1. Programet e studimeve në institucionet e arsimit të lartë organizohen në tri cikle të njëpasnjëshme: cikli i parë, cikli i dytë dhe cikli i tretë.
Studimet e ciklit të parë:
a) programet e studimeve të ciklit të parë synojnë pajisjen me njohuritë bazë, mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme, dhe formimin e shprehive të veçanta në një llojshmëri të gjerë profesionesh e specialitetesh;

b) programet e studimeve të ciklit të parë realizohen me 180 kredite europiane (ECTS) (mëtej: kredite) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike;

c) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të parë lëshohet diplomë universitare“Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.

Studimet e ciklit të dytë:
Programet estudimeve “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”:

a) programet e studimeve të ciklit të dytë i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor” me njohuri të thelluara, teorike dhe praktike, si dhe trajnim për kërkim shkencor në një fushë, brenda një specialiteti;
b) programet e studimeve të ciklit të dytë realizohen me 120 kredite, ku përfshihen 30-40 kredite për projektin kërkimor dhe tezën dhe kohëzgjatja normale e tyre është 2 vite akademike;
c) studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;
ç) në përfundim të programeve të studimeve të ciklit të dytë lëshohet diplomë universitare“Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” në fushën e arsimimit të kryer.
Programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë
a) institucionet e arsimit të lartë në fushat e mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të veterinarisë e të arkitekturës ofrojnë programe të integruara të studimeve të ciklit të parë dhe të dytë së bashku;

b) programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë realizohen me jo më pak se 300 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është jo më pak se 5 vite akademike;

c) studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

ç) në përfundim të programeve të integruara të studimeve lëshohet diplomë universitare“Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura” në fushën e arsimimit të kryer.

Programet e studimeve “Master profesional”
a) programet e studimeve “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve, me një diplomë universitare së paku “Bachelor”, arsimim dhe trajnim të mirëfilltë profesional;

b) programet e studimeve “Master profesional” realizohen me 60-90 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është 1,5 (një vit e gjashtë muaj) vit akademik;

c) studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

ç) në përfundim të këtyre programeve të studimeve lëshohet diplomë universitare “Master profesional” në fushën e arsimimit e të trajnimit profesional të kryer;

d) institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të pranojnë kandidatë që kanë fituar diplomë

“Master profesional” në studimet e ciklit të dytë për diplomën universitare “Master i shkencave”ose “Master i arteve të bukura” dhe të vendosin kritere për njohjen/transferimin e krediteve të vlefshme të fituara në studimet e masterit që i përgjigjen programit të studimeve të ciklit të dytë.
Studimet e ciklit të tretë
Programet e studimeve të doktoratës:

a) programet e studimeve të doktoratës janë programe të studimeve të ciklit të tretë, me karakter plotësisht akade mik, që kanë në bazë kërkim shkencor dhe veprimtari krijuese;
b) në studimet e doktoratës pranohen kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave” ose “Master i arteve të bukura”;
c) këto programe të studimeve zgjasin të paktën 3 vite akademike dhe përfshijnë 60 kredite për studime të organizuara teorike. Institucionet e arsimit të lartë, në bazë të rezultateve të arritura në studimet e organizuara teorike, vendosin kritere klasifikimi për kandidatët që kanë të drejtë të zhvillojnë projektin kërkimor dhe të përgatisin tezën e doktoratës. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë standarde e kritere kualifikuese për njohjen e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare, si dhe metoda për vlerësimin e nivelit teorik të përgjithshëm të kandidatëve.Kandidatët, që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e vendosura, nuk klasifikohen për të vazhduar më tej studimet e doktoratës dhe pajisen me një dëshmi, në të cilën jepen modulet e zhvilluara së bashku me kreditet e grumbulluara dhe vlerësimin e tyre;

ç) në përfundim të programeve të studimeve të doktoratës lëshohet diploma për gradën shkencore “Doktor” (Dr).

Programet e studimeve specializuese afatgjata
programet e studimeve specializuese afatgjata janë programe të formimit profesional, që ofrojnë njohuri për profesione të veçanta në fushat e mjekësisë, të stomatologjisë, të farmacisë, të inxhinierisë, të veterinarisë dhe të drejtësisë etj. Këto programe të studimeve përfshijnë studime teorike, të kombinuara me aplikime praktike e trajnime profesionale. Programet e studimeve specializuese në drejtësi realizohen në kuadër të Shkollës së Magjistraturës, që rregullohet me ligj të veçantë;

b) për kryerjen e programeve të studimeve specializuese afatgjata, studenti duhet të grumbullojë jo më pak se 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e këtyre programeve të studimeve është jo më pak se 2 vite akademike, në përputhje me ligjin e profesioneve të rregulluara;

c) studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare;

ç) në përfundim të programeve të studimeve specializuese afatgjata lëshohet diplomë universitare specializimi me titullin në fushën përkatëse.

1.3.3. Në fushën e mjekësisë, programet e studimeve të doktoratës mund të ofrohen të integruara me studimet specializuese afatgjata, sipas planit dhe programit mësimor, të miratuar nga fakulteti dhe universiteti përkatës.

2. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë programe të studimeve të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë vetëm në ato fusha, ku ato plotësojnë kriteret dhe përmbushin standardet shtetërore, në përputhje me këtë ligj.

3. Programet e studimeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë janë programe të studimeve universitare.

4. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të ofrojnë edhe programe të studimeve jouniversitare, profesionale, pas arsimit të mesëm, me jo më pak se 120 kredite. Kohëzgjatja normale e këtyre programeve është jo më pak se 2 vite akademike dhe në përfundim të tyre lëshohet“Diplomë profesionale” në fushën e arsimimit të kryer. Kreditet e akumuluara gjatë studimeve pas arsimit të mesëm mund të transferohen në studimet universitare të ciklit të parë, në përputhje me kriteret që vendosin institucionet e arsimit të lartë.

5. Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen rregulla të hollësishme për programet e studimeve.

Lëshimi i diplomave, certifikatave dhe dokumenteve të tjera
1. Institucionet e arsimit të lartë pajisin studentët, që kanë përfunduar të gjitha detyrimet e një programi studimi, me diplomën përkatëse, e cila është dokument zyrtar.

2. Diplomat, që jepen në përfundim të programeve të ciklit të parë, të ciklit të dytë apo të integruara, shoqërohen me suplementin/shtojcën e diplomës.

3. Suplementi i diplomës hartohet nё përputhje me kërkesat e hapësirës europiane tё arsimit tё lartë. Ai përshkruan, në veçanti, natyrën, nivelin, përmbajtjen, rezultatet e studimeve, që janë kryer dhe përfunduar me sukses nga mbajtësi i diplomës etj.

4. Përmbajtja dhe forma e diplomës dhe e suplementit të diplomës përcaktohen nga senatet akademike, në përputhje me udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

5. Individët, që kanë plotësuar detyrimet e një programi të formimit të vazhduar ose pjesë të një programi studimi pajisen me diplomat ose certifikatat përkatëse, që janë dokument zyrtar.

6. Çdo formë diplome ose certifikate, përpara se të lëshohet nga institucioni i arsimit tё lartë, regjistrohet nё regjistrin shtetëror të diplomave dhe certifikatave për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, qё mbahet në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Viti akademik dhe organizimi i mësimdhënies
1. Studimet në institucionet publike të arsimit të lartë zhvillohen me bazë vitin akademik. Ministri i Arsimit dhe Shkencës shpall datën e fillimit të vitit akademik.

2. Viti akademik organizohet në semestra me së paku 20 orë mësimi leksione, seminare e laboratorë në javë.

3. Organizimi i mësimdhënies për programet e studimeve të formimit të vazhduar përcaktohen në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

Pranimi në ciklin e parë tё studimeve
1. Çdo shtetas shqiptar që ka përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, ka të drejtë të kandidojë për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve në institucionet e arsimit të lartë.

2. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për ciklin e parë të studimeve, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

3. Shfuqizuar.

4. Kuotat dhe kriteret e pranimit për ciklin e parë të studimeve për studentët e huaj në institucionet publike të arsimit të lartë të Republikës së Shqipërisë bëhen sipas pikave 2 dhe 3 të këtij neni. Në përcaktimin e kuotave respektohen marrëveshjet dypalëshe ose shumëpalëshe.

5. Institucionet e arsimit të lartë kanë të drejtë të propozojnë kritere të veçanta për përzgjedhjen e kandidatëve, të cilët kanë mbaruar Maturën Shtetërore, për t’u pranuar në ciklin e parë të studimeve. Këto kritere shqyrtohen dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në këshillim me Konferencën e Rektorëve dhe Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe, mbi këtë bazë, ministri miraton, me udhëzim, kriteret dhe procedurat e pranimit në ciklin e parë të studimeve.

Pranimi në ciklin e dytë e në ciklin e tretë të studimeve
1. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e dytë të studimeve individë që kanë përfunduar një program studimi të ciklit të parë, si dhe plotësojnë standardet akademike të kritereve të pranimit të institucionit respektiv.

2. Kanë të drejtë të aplikojnë për t’u regjistruar në ciklin e tretë të studimeve kandidatë që kanë fituar diplomë universitare “Master i shkencave”/“Master i arteve të bukura” ose një diplomë ekuivalente me të, si dhe plotësojnë kriteret e pranimit, të përcaktuara nga institucioni përkatës.

3. Kriteret e pranimit për standardet akademike të përzgjedhjes së kandidatëve për t’u pranuar në programet e ciklit të dytë dhe të ciklit të tretë të studimeve përcaktohen në statutet e institucioneve të arsimit të lartë, bazuar dhe në rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

4. Kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës formulon propozimin e saj pas konsultimit me institucionet publike të arsimit të lartë dhe rekomandimet e Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës.

5. Kuotat e pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë, në institucionet publike të arsimit të lartë në varësi të Ministrisë së Brendshme, miratohen nga Këshilli i Ministrave me propozim të ministrisë përkatëse.

Transferimet
1. Institucionet e arsimit të lartë ofrojnë mundësi për transferime të studentëve midis programeve të të njëjtit cikël, brenda të njëjtit institucion apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, si dhe për transferime nga programet e mëparshme në programe të studimeve të ciklit të parë.

2. Vendimi për njohjen e plotë ose të pjesshme të krediteve të grumbulluara nga një student, me qëllim vazhdimin e studimeve, i takon njësisë kryesore të institucionit të arsimit të lartëqë pranon studentin, sipas kritereve të përcaktuara në statutin dhe rregulloret e saj.

Ndjekja e një programi të dytë studimi
Individët që kanë përfunduar një program studimi, kanë të drejtë të ndjekin një program të dytë studimi. Në këtë rast, kandidatët përballojnë koston e plotë të studimeve. Nga ky rregull përjashtohen studentët e shkëlqyer.

Në statutet e institucioneve të arsimit të lartë përcaktohen kriteret që duhet të plotësohen për t’u pranuar në një program të dytë studimi.

Njohja e diplomave, certifikatave, gradave dhe titujve tё huaj
1. Nëpërmjet procedurës së njohjes, një diplomë e huaj njësohet me një diplomë shqiptare nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin dhe e së drejtës për punësim. Kjo vlen dhe për njohjen e certifikatave, gradave ose titujve të huaj.

2. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të diplomave ose certifikatave, tё lëshuara nga institucione të huaja të arsimit të lartë, është Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila e kryen këtë proces nëpërmjet njësisë përgjegjëse të njohjes së diplomave, që funksionon edhe si Qendra Kombëtare e Njohjes së Diplomave dhe e Informimit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka të drejtë të autorizojë institucionet e arsimit të lartë për kryerjen e këtij procesi për rastet e njësimit të diplomës nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin. Këto raste përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës.

3. Institucioni përgjegjës për njohjen zyrtare në Republikën e Shqipërisë të gradave ose titujve shkencorë, tё lëshuar nga institucione të huaja të arsimit të lartë, është Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë.

.
Statuti dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë
1. Statuti i një institucioni publik të arsimit të lartë përmban normat që rregullojnë veprimtarinë e institucionit.

2. Statuti hartohet dhe ndryshohet në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tij dhe miratohet nga senati akademik i institucionit me dy të tretat e votave të anëtarëve të tij. Statuti i dërgohet Ministrit të Arsimit dhe Shkencës që, brenda dy muajve, kryen kontrollin e ligjshmërisë së tij. Kur konstatohen shkelje të ligjshmërisë, Ministri i Arsimit dhe Shkencës ia kthen statutin për ripunim institucionit përkatës të arsimit të lartë. Kur Ministri i Arsimit dhe Shkencës nuk ka vërejtje për ligjshmërinë e statutit ose nuk shprehet brenda afatit të përcaktuar, rektori e shpall atë duke e konsideruar të miratuar. Ndryshimet në statut miratohen me të njëjtat procedura.

3. Institucionet e arsimit të lartë dhe njësitë e tyre përbërëse rregullojnë veprimtarinë e tyre mbështetur në rregulloret e tyre të brendshme, që hartohen nga vetë institucioni në përputhje me këtë ligj dhe statutin e institucionit.Rregulloret miratohen sipas mënyrës së përcaktuar në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

Institucionet private të arsimit të lartë
1. Institucionet private të arsimit të lartë krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji, përveç kur ligji flet specifikisht për institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to.

2. Një institucion privat i arsimit të lartë ka të drejtë të krijohet me kërkesë të një subjekti juridik, vendas ose të huaj. Subjekti juridik është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë, administrimin dhe financimin e institucionit të hapur me kërkesën e tij.

3. Një institucion privat i arsimit të lartë fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet kur ai plotëson standardet dhe kriteret shtetërore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave, sipas propozimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

4. Modeli i licencës përcaktohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Statusi i studentit
Një person fiton statusin e studentit me regjistrimin e tij në një institucion të arsimit të lartë dhe e humbet këtë status me marrjen e diplomës ose certifikatës përkatëse, si dhe në raste të ndryshme të çregjistrimit të tij.
Të drejtat dhe detyrimet e studentëve përcaktohen në bazë të këtij ligji, si dhe në statutet e institucioneve të arsimit të lartë.
Të drejtat dhe detyrat e studentëve
1. Studentët kanë të drejtë:

a) të ndjekin leksione, seminare dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore, të organizuara në përputhje me statusin e tyre;
b) të përdorin mjedise në biblioteka, salla kompjuterash dhe shërbime të tjera që ofrohen për studentët nga institucioni;
c) të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet e institucionit parashikuar për studentë, në përputhje me këtë ligj dhe statutin e institucionit;
ç) të shprehin opinionin e tyre për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit akademik të institucionit.

2. Studentët kanë detyrë:

a) të zbatojnë rregullat e hartuara nga institucioni;
b) t'u kushtojnë vëmendjen e duhur studimeve dhe të marrin pjesë në veprimtaritë akademike;
c) të paguajnë tarifat e shkollimeve dhe të shërbimeve që u ofrojnë institucionet;
ç) të respektojnë kodin e etikës, të përcaktuar në statutet ose rregulloret e institucioneve respektive të arsimit të lartë;
d) të tregojnë vëmendjen e duhur ndaj të drejtave të personelit dhe të studentëve të tjerë etj.

3. Në statutin e institucionit përcaktohen të drejta dhe detyra të tjera të studentëve në përputhje me këtë ligj.

Këshillat e studentëve
1. Këshillat e studentëve janë organizime të pavarura të studentëve nëpër institucionet e arsimit të lartë, të cilat nuk zhvillojnë veprimtari politike dhe ekonomike. Këta këshilla promovojnë pjesëmarrjen e studentëve dhe koordinojnë përfaqësimin e tyre në organet drejtuese të insitucioneve të arsimit të lartë, në strukturat mësimore-kërkimore dhe të shërbimeve.

2. Këshillat e studentëve zgjidhen çdo 2 vjet nga votat e studentëve dhe mbështeten në legjislacionin në fuqi. Në rastet kur një individ i zgjedhur në këshillat e studentëve përfundon studimet universitare, ai zëvendësohet nga kandidati pasardhës në renditje për nga numri i votave të grumbulluara në zgjedhjet e fundit..

3. Këshillat e studentëve organizohen në nivel fakulteti (këshilli i studentëve të fakultetit), në nivel institucioni (këshilli i studentëve të institucionit) dhe në nivel kombëtar (Këshilli Kombëtar i Studentëve). Në organizimin e këshillave të studentëve në nivel kombëtar bëjnë pjesë edhe këshillat e studentëve të institucioneve private të arsimit të lartë, në rastet kur ato paraqesin interes për këto organizime.

4. Këshillat e studentëve nuk mund të organizohen me struktura të tjera politike e jopolitike, jashtë institucioneve përkatëse të arsimit të lartë. Modalitetet dhe procedurat për krijimin, organizimin dhe funksionimin e tyre përcaktohen në statutet dhe rregulloret e institucioneve të arsimit të lartë, në përputhje me këtë ligj, mbështetur edhe në propozimet e paraqitura nga studentët.

5. Këshillat e studentëve shprehin mendime dhe propozime për të gjitha problemet me interes të përgjithshëm të institucioneve të arsimit të lartë, si për planet dhe programet e studimeve, rregulloret për veprimtaritë mësimore, të drejtën për të studiuar, cilësinë e shërbimeve, përcaktimin e tarifave të shkollimit dhe kontributeve të tjera financiare për studentët, bilancet vjetore paraprake të shpenzimeve ose ndarjen e burimeve financiare, zhvillimin e veprimtarive të ndryshme kulturore, artistike, sportive etj.

6. Institucionet e arsimit të lartë mbështesin këshillat e studentëve dhe financojnë veprimtari të tyre.

Karta e studentit
1. Studentët e institucioneve publike e private të arsimit të lartë pajisen me kartën e studentit, e cila është dokument unik. Me anë të saj studentët përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara.

2. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përcakton kriteret dhe procedurat për përgatitjen dhe lëshimin e kartës së studentit.

3. Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit përballohen nga fondet e parashikuara në Buxhetin e Shtetit të ministrisë përkatëse që mbulon institucionin e arsimit të lartë.

4. Kategoritë e shërbimeve që ofrojnë entet shtetërore bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me marrëveshje me organizma që kanë objekt të tyre interesat studentorë e me persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme.

Bursa për studime
1. Studentët e institucioneve publike të arsimit të lartë përfitojnë bursa si mbështetje ekonomike për studimet e tyre, si dhe stimuj materialë për rezultate të shkëlqyera.

2. Bursat, sipas pikës 1 të këtij neni, përballohen nga Buxheti i Shtetit dhe donacione të ligjshme. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret shtetërore dhe procedurat për përfitimin e bursave.

3. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në statutet e tyre kritere dhe procedura për shpërblime të studentëve, që përballohen nga vetë institucionet.

4. Me propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave konsideron dhe raste të tjera për dhënie bursash, si dhe bursa për studentë të shkëlqyer dhe shkencëtarë.