Skip Navigation LinksStudentët Informacione të rëndësishme per studentet e Shqiperisë Bibliotekat universitare Biblioteka Shkencore e Universitetit "Luigj Gurakuqi" Shkoder

Biblioteka Shkencore e Universitetit "Luigj Gurakuqi" Shkoder




Biblioteka Universitare ka filluar veprimtarinë e saj që me krijimin e Institutit Pedagogjik Shkodër në vitn 1957, me një fond prej 1000 librash, libra këto kryesisht në shqip.

Sot vlen të përmendet se kjo bibliotekë ka një fond prej rreth 170 mijë librash. Fondet e bibliotekës në shqip dhe në gjuhë të huaj mbulojnë të gjitha fakultetet e universitetit.

Godina aktuale e bibliotekës, një godinë bashkëkohore me tre kate dhe me sipërfaqe rreth 3000 m2, është përfunduar në vitin 2006. Ajo është e pajisur me rafte librash që kanë një gjatësi 8 km linear dhe janë me një kapacitet mbajtës deri në 400 mijë libra.

Biblioteka zotëron koleksione të pasura si: fondin albano – balkanologjik, fondin shqip & të shkencave filologjike të albanologjisë, fondin e huaj, bibliotekën austriake, fondin e periodikut (të serialëve) dhe fondin e fakulteteve .
Vlen të cilësohet se fondi më me vlerë është fondi albano – balkanologjik. Në këtë fond ndodhet antikuari mjaft i çmuar i bibliotekës, një ndër më të pasurit në Shqipëri, i përbërë nga 32 libra të rrallë që datojnë që nga shek.XVI.
Pjesë e këtij fondi është edhe periodiku i shtypit shqiptar për periudhën 1879-1944, mjaft i pasur gjithashtu. Në arkiv ndodhen 297 tituj dhe nga këto 125 tituj janë koleksione të plota..

Fondi i vjetër është në proçes digjitalizimi për të siguruar jetëgjatësinë e tij si dhe njëkohësisht për ta bërë atë sa më të disponueshëm për studiuesit e lexuesit.

Në bashkëpunim me bibliotekën e qytetit “Marin Barleti” është krijuar portali: “Arkivat Digjitale Shkodër” i cili do vijë duke u pasuruar me vepra të tjera të trashëgimisë kulturore. Për më shumë ju mund të informoheni në: www: adsh.unishk.edu.al.

Pasuri dhe veçanti për Bibliotekën Universitare përbën biblioteka austriake e hapur në mjediset e saj që në vitin 2000. Sot kjo bibliotekë përmban rreth 6500 libra të rregjistruar në katalogun elektronik si dhe periodikë, videokaseta e DVD. Kjo bibliotekë mbështetet në veprimtarinë e saj nga Ambasada Austriake në Tiranë dhe pasurimi i fondeve realizohet çdo vit nga Ministria Federale e Punëve të Jashtme të Austrisë.

Biblioteka ofron për përdoruesit e saj një sërë shërbimesh si: shërbimin e informacionit dhe të huazimit, vë në dispozicion të tyre mediatekën, me 26 vende multimedia, si dhe tri salla leximi me 300 vende leximi në total. Godina e bibliotekës ka në përbërjen e saj edhe sallën e konferencave “Hoeflechner”, me një kapacitet 120 vende, e cila mundëson zhvillimin e një sërë aktivitetesh të karakterit akademik, mësimdhënës apo promovues.

Brenda godinës është krijuar edhe një hapësirë e veçantë për bibliotekën e fëmijëve.